Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Politika në Mjedisin Jetësor dhe Ndryshime Klimatike (IPECC) ka filluar zbatimin e një projekti të ri rajonal që synon rritjen e gatishmërisë së 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6) për të planifikuar, qasur dhe përdorur në mënyrë efektive instrumentet e ardhshme financiare të Bashkimit Evropian.

Projekti përqendrohet në avancimin e financimit të qëndrueshëm për infrastrukturën e gjelbër duke forcuar kapacitetet administrative, duke përmirësuar planifikimin strategjik dhe duke nxitur bashkëpunimin rajonal në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe procesin e aderimit në BE.

Në kuadër të projektit, do të zhvillohet një Dokument për Politika dhe një Udhërrëfyes, duke ofruar rekomandime konkrete për një përputhje më të mirë të prioriteteve kombëtare me perspektivën financiare të BE-së pas vitit 2027.

Përmes këtij projekti, IPECC vazhdon të përforcojë misionin e tij për të mbështetur qeverisjen e mirë, transparencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm duke ndërlidhur shoqërinë civile, institucionet kombëtare dhe politikat evropiane në mbështetje të integrimit të suksesshëm evropian të rajonit.

Projekti zbatohet nga IPECC dhe realizohet me mbështetjen e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur -Ballkanin Perëndimor (OSF-WB), në kuadër të iniciativës Ignita, dhe kontribuon në hartimin e politikave transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në prova në fushën e investimeve të gjelbra dhe integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor.